Gjatë monitorimit të mediave elektronike janë konstatuar raportime se në një objekt shumë katësh në ndërtim në rrugën “Llukë Kacaj”, Nj. Administrative nr. 4, janë ndërtuar 2 kate banimi, në tejkalim të atyre të përcaktuara në lejën përkatëse leshuar nga Bashkia Tiranë.
Pas verifikimeve të kryera nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, ka rezultuar se objekti është ndërtuar në tejkalim të lejës së ndërtimit mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik, referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka administruar dokumentacionin shkresor si edhe ka marrë deklarimet e strukturave policore përkatëse, ku bazuar në veprimet e para hetimore ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dy punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
➡️ K. M., me detyrë Ndihmës Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.
➡️ S. K., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
AMP falenderon mediat dhe inkurajon qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së detyrës nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511 Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.
