Tiranë – AMP referon materialet proceduriale në ngarkim të një punonjësi policie i dyshuar për kryerjen e dy veprave penale

Gjatë monitorimit të rrjeteve sociale u konstatuan në portalin “JOQ Albania” një postim me mbishkrim “I fut poshtë celularit dhe pastaj në xhep. Polici merr rryshfet në mes të rruges…”, ku gjithashtu nga pamjet filmike vërehet një punonjës policie që kryen veprime të dyshimta korruptive me një drejtues mjeti tip Audi me ngjyrë të zezë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka kryer veprimet e para hetimore dhe pas identifikimit të punonjësit të policisë Inspektor K. K., me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Tiranë, ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në ngarkim të tij, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e drejtuesit të mjetit.

AMP falenderon mediat dhe inkurajon qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

Për ankesa me Whatsapp 0694151511
Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.