Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor M. K., me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë DVP Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar në nenin 290/3 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pasi ditën e sotme rreth orës 17:30, gjatë drejtimit të motomjetit në bulevardin “Bajram Curri” ka aksidentuar shtetasin P. F., 65 vjeç, i cili është dërguar menjëherë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në gjendje të rëndë dhe si pasojë e dëmtimeve ka ndërruar jetë rreth orës 21:00. I dëmtuar ka mbetur gjithashtu edhe punonjësi i policisë.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511 Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.
