Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së Klevis Qose mirëpriti delegacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në një vizitë studimore në Tiranë, të kryesuar nga Ndihmësministri për Punët e Brendshëm, z. Ivica Stankovski, koordinatorin e DCAF z. Gent Salihi dhe ekipi i tyre drejtues.
Në këtë takim u vlerësua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në fushën e mbikëqyrjes policore dhe integritetit institucional.
Gjatë takimeve, palët shkëmbyen përvoja mbi organizimin dhe funksionimin e institucioneve të mbikëqyrjes policore, metodologjitë e hetimit operacional, trajtimin e ankesave të qytetarëve, mekanizmat e llogaridhënies dhe sfidat që lidhen me rritjen e transparencës dhe besimit të publikut.
Përfaqësuesit e AMP-së prezantuan modelin shqiptar të mbikëqyrjes policore, strukturën organizative dhe praktikat e punës së Drejtorisë së Hetimit dhe Drejtorisë së Inspektimit dhe Ankesave, ndërsa delegacioni nga Maqedonia e Veriut ndau përvojën e reformave institucionale dhe prioritetet e Planit për Integritetin Policor 2026–2028.
Dy drejtuesit e institucioneve homologe konfirmuan vullnetin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.





