Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, z. Klevis Qose, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Sigurisë, ku prezantoi buxhetin e institucionit për vitin 2026, prioritetet dhe kërkesat për financim shtesë për vitin 2027.
Gjatë diskutimit, Drejtori i Përgjithshëm paraqiti kërkesën për një shtesë buxhetore prej 202,046,000 lekësh për vitin 2027, përtej kufijve të parashikuar në Programin Buxhetor Afatmesëm 2027–2029. Kërkesa është ndarë në tre zëra kryesorë:
158 milionë lekë për investime në aktive të trupëzuara, me fokus modernizimin e infrastrukturës teknologjike të Agjencisë Konkretisht, 78 milionë lekë kërkohen për zhvillimin e intranetit, zgjerimin e rrjetit të teknologjisë së informacionit dhe blerjen e 13 pajisjeve IP Crypto, të nevojshme për sigurinë e komunikimit. Ndërsa 80 milionë lekë janë parashikuar për blerjen dhe rinovimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve të AMP-së, të cilat kanë rreth 10 vite në përdorim.
35,798,000 lekë për mallra dhe shërbime, për mbulimin e nevojave të domosdoshme të institucionit. Këtu përfshihen mirëmbajtja e bazës së të dhënave dhe sistemeve të raportimit e menaxhimit të çështjeve, blerja e uniformave dhe veshjeve speciale, sigurimi shëndetësor i veçantë për punonjësit, shpenzimet për udhëtime dhe dieta, si dhe karburanti dhe vajrat për automjetet.
8,248,000 lekë për transferta për buxhetet familjare dhe individët, për përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj punonjësve, përfshirë pagesat kalimtare për 17 punonjës, përfitimet për një bashkëshorte të papunë dhe kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit për 18 punonjës të transferuar në detyrë.
Në prezantimin e prioriteteve institucionale për vitin 2027, theksi u vendos gjithashtu te ristrukturimi dhe forcimi i strukturave hetimore, rritja e kapaciteteve për hetimin e krimit kibernetik, konsolidimi i mekanizmave të hetimit disiplinor dhe penal, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe përmbushjes së rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe standardeve të EPAC, përmes rritjes së efektivitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë së mbikëqyrjes së jashtme policore.
Kërkesa për shtesë buxhetore synon garantimin e burimeve të nevojshme financiare për modernizimin e AMP-së, përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore, teknologjike dhe operacionale, në funksion të përmbushjes sa më efektive të misionit ligjor të Agjencisë.







