Goditet aktivitet i dyshuar i paligjshëm në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në kuadër të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, bazuar në informacionin e siguruar nga strukturat e Inteligjencës Operative të Agjencisë, ka ushtruar kontroll në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit A.S, në vendin e quajtur “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këto ambiente janë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 4 pajisje elektronike kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit;
– 4 monitorë;
– pajisje serverike dhe elemente të tjera teknologjike, të dyshuara se përdoreshin për organizimin dhe ushtrimin e basteve sportive të paligjshme.
Nga strukturat kompetente të AMP-së po kryhen veprimet e para hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të dyshuar të paligjshëm, identifikimin e personave të përfshirë në organizimin dhe ushtrimin e tij, si dhe verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi, mosveprimi apo përfshirjeje nga punonjës të Policisë së Shtetit apo subjekte të tjera të fushës së veprimit të Agjencisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në ambientet e bar-kafesë, u gjetën dhe u sekuestruan 15 doza lëndë narkotike, me peshë totale 6.45 gramë. Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të çdo personi të përfshirë.

AMP mbetet e angazhuar në evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që favorizohet, tolerohet apo mbështetet nga punonjës të strukturave që janë subjekt i mbikëqyrjes së saj, duke garantuar hetim të paanshëm, profesional dhe në përputhje të plotë me ligjin.