Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Klevis Qose, zhvilloi një takim me stafin e institucionit dhe Richard F. Bates

Në takim morën pjesë gjithashtu Richard Deasy, Atashe për Asistencën në Çështjet e Zbatimit të Ligjit pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, si dhe Ellen Alegranti, Drejtoreshë e Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

Gjatë takimit, Qose vlerësoi kontributin e rëndësishëm të Bates përgjatë pesë viteve të bashkëpunimit me AMP-në, duke theksuar rolin e tij në forcimin e kapaciteteve profesionale të institucionit, zhvillimin e programeve të trajnimit dhe promovimin e standardeve më të mira të integritetit dhe llogaridhënies policore.
“Përgjatë këtyre pesë viteve, Richard ka qenë jo vetëm një këshilltar i vyer, por edhe një partner i besueshëm në përpjekjet tona për të forcuar më tej profesionalizmin dhe standardet e AMP-së. Kontributi i tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e institucionit tonë dhe do të mbetet i vlerësuar nga i gjithë stafi”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm, Klevis Qose.
Nga ana e tij, Richard F. Bates u shpreh i emocionuar për bashkëpunimin e ndërtuar me AMP-në dhe marrëdhëniet e krijuara gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri.
“Ka qenë një privilegj i veçantë të punoj krah për krah me profesionistët e AMP-së. Do të largohem me kujtime të jashtëzakonshme, me respekt të madh për kolegët dhe miqtë që kam gjetur këtu. Shqipëria do të më mungojë shumë dhe do të mbetet gjithmonë një vend i veçantë për mua”, tha Bates.