Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka referuar në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë materialet proceduriale në ngarkim të punonjësit të policisë E. H., me detyrë Patrullë e Përgjithshmë në Komisariatin e Policisë Nr.5, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se punonjësi i policisë, mbrëmjen e djeshme është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me disa persona në ambientet e një lokali në Tiranë, ku më pas situata ka agravuar dhe punonjësi i policisë ka kanosur me armën e shërbimit personat që po konfliktohej.
AMP ka nisur hetimin disiplinor administrativ ndaj punonjësit të policisë duke vijuar edhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511
Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.